Receta e Cekës – Tortë me dredhëza

Kjo tortë me krem mund të përgatitet edhe me mjedra, me boronica, manaferra. Do të thotë me të gjitha pemët e buta. Unë sot do ta gatuaj me dredhëza.

  1. Fillimisht gatuhet kremi në mënyrë që ai të ftohet.
  2. Marrim një litër qumësht dhe 800ml i derdhim në një tenxhere. 200ml i lëmë anash.
  3. Shtojmë 12 lugë sheqer në tenxhere. Derisa quëmshti të vlojë e përziejmë gjashtë lugë niseshte me qumështin që kemi lënë anash. Shtojmë 5 lugë miell dhe 2 sheqer vanilla i përziejmë mirë e mirë derisa masa të kompaktësohet plotësisht.
  4. Kur qumështi të fillojë të vlojë ulim temperaturën. Shtojmë qumështin me niseshte tek qumështi i vluar. Masa përzihet vazhdimisht derisa të fillojë të zihet kremi.
  5. Largojmë kremin nga zjarri dhe e mbulojmë në mënyrë që të mos krijojë kore. Më pas kur të jetë ftohur e përziejmë me 200 gramë gjalpë e zbutur në temperaturë dhome. E tundim tërë masën mirë e mirë.
  6. Në ndërkohë përgatisim pandispanjën me 8 vezë. I ndjamë të bardhat nga të verdhat. Të bardhat i tundim me 8 lugë sheqer dhe një majë thike kripë. E tundim me mikser. Shtojmë më pas të verdhat e vezëve dhe vazhdojmë ta tundim. Shtojmë miellin duke e përzier me lugë ose me tel kuzhine.
  7. E shtojmë lëvoren e grirë të një limoni. Përziejmë masën mirë derisa të kompaktësohet mielli tërësisht dhe të mos mbesin kokrriza.
  8. E derdhim masën në një tepsi të shtruar me letër ose të lyer me vaj. E rrafshojmë masën dhe e fusim në furrë të nxehtë 180 gradë dhe e lëmë të pjeket për afër 15 minuta.
  9. Derisa pandispanja të pjeket presim dredhëzat, rreth 1 kg, në disa pjesë jo shumë të vogla.
  10. Kur pandispanja të jetë pjekur e presim në tri pjesë. E vendosim petën e parë në pjatën për shërbim. E derdhim pak kremë mbi. i shtrijmë dredhëzat e prera hollë dhe sërish i hedhim kremë mbi.
  11. E shtrijmë petën e dytë mbi tortë dhe e përsërisim procesin e mëparshëm. Vendosim petën e tretë dhe e mbulojmë me kremë. E zbukurojmë sipas dëshire. Priteni dhe shërbejeni. Ju bëftë mirë!