Receta e Cekës – Qofte me kungulleshka (VIDEO)

Fillimisht kungulleshka lahet, fshihet. Nëse është e njomë nuk ka nevojë të qërohet. Kalohet në rende. E shtrydhim që të largojmë ujin.

Karrota qërohet dhe kalohet në rende.

I përziejmë të dyjat në një enë të thellë. Merrim dy thelpinj hudhre të freskët dhe i kalojmë në rende duke i shtuar tek ena.

Marrim gjysmë tufe majdanoz të freskët dhe e grijmë. E shtojmë tek ena.

Marrim një copë djathë të prerë shumë imët (as edhe 50gr). Mund të jetë djathë lope, dhije, i fortë etj. Shtojmë edhe një lugë parmezan.

Kësaj mase i shtojmë erëza: kopër, piper, arrë muskat, piper i kuq djegës, kurri, kripë, si dhe vegetë.

Hidhen dy lugë miell ose galetë (troha buke) si dhe një vezë e tundur .

Tërë këtë masë e përziejmë mirë e mirë. Mund t’ia shtoni edhe një vezë. Nëse masa u duket shumë e lëngshme mund të shtoni ende miell ose galetë.

Merrni një enë dhe mbusheni me galetë. Shtoni edhe paksa parmezan të grirë.

Masës i japim formën e qofteve dhe pastaj e kalojmë secilën nëpër enën me galetë dhe parmezan.

Qoftet fërgohen në vaj në temperaturë të mesme në mënyrë që edhe në brendi të fërgohen mirë.

Derisa qoftet të skuqen përgatisim një salcë me kërpudha. Qërojmë kërpudhat dhe pastaj i coptojmë.

Në një tigan të thellë shtojmë gjysmë luge gjalpë, dy thelpinj hudhre dhe kërpudhat.

Sa të fërgohen pak kërpudhat, ju shtojmë një lugë miell. I shtojmë qumësht ose lëng supe. E përziejmë vazhdimisht. Masën e mbulojmë me kapak dhe e lëmë në zjarr të ulët për rreth 10 minuta.

Qoftet e fërguara i rendisim mbi letër thithëse.

Mbi salcë hedhim kripë, arrë muskat, pak piper, e përziejmë dhe me kaq është e gatshme.